Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi tronditi lagjen “Kryengritja” të Fierit mbrëmjen e së shtunës.

Një makinë tip BMV u hodh në erë ndërsa drejtuesi i saj një 35-vjeçar mori plagë të rënda. Këto foto të siguruara nga Tv Klan janë bërë menjëherë pak çaste pas shpërthimit ku i plagosur mbeti Armando Sulo nga Fieri. Ai u nxor nga makina pas ndërhyrjes së zjarrfikëseve dhe u dërgua me urgjencë në spital me dëmtime të rënda në të dyja këmbët.

Burime në vendin e ngjarjes thanë se bëhet fjalë për një sasi jo të vogël tritoli dhe se ai është aktivizuar me celular.

Burime nga policia lokale thanë se shënjestra e këtij atentati kishte vetëm pak javë që kishte dalë nga burgu i dënuar për armëmbajtje pa leje. Të njëjtat burime thanë se dyshohet se atentati ndaj tij ka si motiv hakmarrjen për një seri ngjarjesh, mes të cilave vrasje dhe pengmarrje të ndodhura gjatë viteve 92 -98 ku dyshohet se ka qenë i përfshirë daja i tij Agron Brace i cili ka drejtuar policinë e Fierit në periudhën 92-95. /Tv Klan