Një 23-vjeçar ka mbetur i plagosur këtë të martë në Vlorë, pasi u qëllua me armë zjarri. Burime zyrtare sqarojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 17:20, në hyrje të Orikumit.

I riu me iniciale D.B ndodhej pranë një pike karburanti, kur dy persona iu afruan dhe qëlluan në drejtim të tij duke e plagosur në këmbë. 23-vjeçari fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa në vendngjarje u gjet një gëzhojë.

Autoritetet kanë ngritur pika të shumta kontrolli, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga policia, por të dhënat e tyre nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Aktualisht vijon puna për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al