Ervin Zallumi, i arrestuar si porositës i vrasjes me pagesë të Mishel Prelës, është plagosur nga ky i fundit me 24 gusht të vitit 2010, pas një konflikti për çështje që lidhen me shitjen e shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.

Ky është motivi për të cilin, Prela, plagosi 7 vite më parë Zallumin. Sipas policisë personat ishin përfshirë në shitjen e shpërndarjen e heroinës e kokainës në Tiranë. Por mes tyre ka pasur edhe një konflikt në lidhje me një sasi droge të shitur për të cilën nuk janë paguar paratë. Për këtë shkak me 24 gusht të vitit 2010, Prela ka ndjekur nga pas Zallumin në rrugën “Sitki Çiço”, ku edhe banonte i plagosuri.

Aty ai e ka goditur disa herë me thikë. Zallumi i ka thënë një shokut të tij, ndërsa e çonte në spital, se e njihte autorin e plagosjes. Bazuar në dëshminë e tij, policia arrestoi Prelën, i cili u denua me 4 vjet burg.

Sapo ka dale nga burgu, duket se ka nisur edhe plani i Zallumit per ta eliminuar.

Ai ka paguar Shkëlzen Bucin me 80 mijë euro për ta vrarë. Por 8 plumbat e qëlluar mbrëmjen e 20 qershorit me një pistoletë TT, vetëm e plagosën 31-vjeçarin.

Në planin për vrasjen ishin implikuar si bashkëpunëtor edhe vëllezërit Miklar e Ermir Tolla dhe Trim Hidri, të arrestuar së bashku me porositësin. TV KLAN