vrasja-te-zogu

Motivet i vrasjes së trefishtë ndodhur në bulevardin “Zogu i Parë” të Tiranë dy ditë më parë, kanë filluar të qartësohen. Vrasja e Durim Sulkut në Hollandë, pas prishjes së pazareve të drogës, bëri që vëllai i tij, Besnik Sulku një nga viktimat e tragjedisë të marrë hak duke organizuar atentatin e të mërkurës në Bulevadin “Zogu i Parë, ku mbeti edhe vetë i vrarë.

Këtë gjë e vërteton akuza e ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për tre të arrestuarit, italianin Salvatore Letizia dhe dy vëllezërit Markeljan Doçi dhe Klevis Doçi. Ata do të hetohen me akuzën e vrasjes për shkak të gjakmarrjes. Prokuroria kështu e lidh drejtpërdrejt ngjarjen e 27 Majit në Tiranë, me ngjarjen e Roterdamit.

Në 6 Prill të këtij viti, në Riderkek u vra në një parkim me një plumb pas kokë, Durim Sulku. Policia hollandeze nuk mundi t’i identifikojë autorët, duke sqaruar se vrasja ishte larje hesapesh mes bandave rivale të trafikut të drogës. Besnik Sulku, pas vrasjes së të vëllait, kishte vënë nën ruajtje Mentor Lufin, për ta eleminuar.

Sipas grupit hetimor, italiani Salvatore Letizia është paguar nga Besnik Sulku për të kryer vrasjen e Mentor Lufit. Por nuk përjashtohet mundësia që 34 – vjeçari italian të jetë i përfshirë në trafikun e drogës në Hollandë dhe për këtë arsye ka marrë pjesë në atentat.

Nëser në orën 10:30 minuta, Gjykata e Krimeve të Rënda do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për tre autorët e dyshuar të masakrës në bulevardin “Zogu i Parë”, ku mbetën të vdekur Mentor Lufi, Geti Goxhaj dhe Besnik Sulku. Dosja e prokurorisë për shqyrtimin e masës së sigurisë ka mbërritur tashmë në gjykatë.

Tv Klan