Aurel Ahi i dyshuar si autor i plagosjes së trefishtë të të shtunës në qendër të Shkodrës, u deportua këtë mesditë nga policia malazeze drejt vendit tonë.

Lajmi u konfirmua për Televizionin Klan nga burime të Policisë së Shtetit që thanë se Aurel Ahi, u depërtua nga autoritetet malazeze, pas komunikimit që kanë pasur me palën shqiptare.

Të njëjtat burime thanë se Ahi, është izoluar në ambientet e Policisë së Shkodrës, ku fillimisht ka mohuar përfshirjen në krim, por më pas ka kërkuar të intervistohet në prani të një avokati.

Ende nuk dihen shkaqet e krimit, ku mbetën të plagosur Dionis Lisi, Enrik Prenushi, dhe Elona Qyrka. Rrëfimet e personave të ndryshëm, por edhe të të njohurve të Ahit, i kanë thënë policisë se kohët e fundit ai ka pasur çekuilibrime mendore.

Gjithsesi policia po heton pista të tjera që mund të kenë shtyrë Ahin të qëlloi mbi Lisin, me të cilin banonin fare pranë në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër.

Aurel Ahi, 25 – vjeç të shtunën në mesditë qëlloi me pistoletë në qendër të Shkodrës duke plagosur tre persona. Pas krimit ai u largua me një autoveturë në drejtim të Malit të Taraboshit, ku braktisi veturën dhe përmes shkurreve arriti të futej në zonën e Krajës në Malin e Zi, ku edhe u kap nga policia malazeze, pas njoftimit të dhënë nga homologët e tyre shqiptarë.

 Tv Klan