Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur sërish të premten 3 zyrtarët e Partisë Demokratike që publikuan të hënën audiopërgjimin për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji sëbashku me ekspertin ligjor Gazmend Bardhi nuk iu përgjigjen thirrjes së parë të Prokurorisë, duke u mos u paraqitur për të dhënë dëshminë e tyre ditën e enjte.  

Ndërkohë, në Prokurori është paraqitur Dëshmitari X, Albert Veliu, i shoqëruar nga avokati, Ivi Kaso.

Veliu ishte pjesë e përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike në të cilin pretendohet se vëllai i ministrit Xhafaj, Agron Xhafaj vazhdonte të ishte pjesë e trafikut të drogës drejt Italisë edhe në kohën që i vëllai mbante postin e ministrit të Brendshëm.

Kryeministri Rama e ka quajtur jo autentik përgjimin, ndërsa Ministri Xhafaj e ka cilësuar mashtrim për ta shantazhuar.

/tvklan.al