Në Krushevc të Serbisë mëngjesin e sotëm është sulmuar nga persona të panjohur një autobus me udhëtarë kosovarë.

Autobusi i ka takuar kompanisë “Bici-Com” dhe pronari i kësaj kompanie ka treguar për Klan Kosova se automjeti transportues po përshkonte linjën Prishtinë-Vjenë dhe jo anasjelltas, siç gabimisht është raportuar në disa media në Kosovë.

Nga ky incident që ka ndodhur, nuk është raportuar për të lënduar përveç dëmeve materiale, njofton Klan Kosova.

Pronari i kompanisë së autobusëve, Behxhet Bici, ka thënë për Klan Kosoven “se autobusi është përcjellur nga dy vetura, njëra e vogël dhe një kombi. Personat në automjete i kanë raportuar njëri-tjetrit për lëvizjet e autobusit”.

“Në momentin që autobusi ka hyrë në kthesë është goditur me një shishe dhe si pasojë është thyer xhami i parë i autobusit. Fatmirësisht shoferi nuk e ka lëshuar rrugën kryesore për ta humbur drejtimin, ndërsa në autobus kishe 25-26 udhëtarë”, ka thënë Bici.

“Autobusi po qëndron në Serbi, për të mos e ndalë rrugën aty ka arritur një tjetër nga Kosova për t’i dërguar udhëtarët në Austri.

Bici tha se ky nuk është rasti i parë që autobusët e kësaj kompanie janë sulmuar në Serbi, sepse “para 10 ditësh në të njëjtin vend vetëm 200 metra më larg është sulmuar nga mbrapa dhe i është thyer xhami, por nuk e kem lajmëruar në media me pretendimin se nuk do të ndodhte më”.

“Nesër rreth orës 10-11 pritet ta marr edhe raportin nga policia, sepse sot nuk e kemi marrë me arsyetimin se është e diel dhe janë në pushim” tha Blici për Klan Kosovën.

Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se këto raste janë duke u shpeshtuar dhe askush s’po ndëshkohet.

”I dënoj fuqishëm sulmet vandale ndaj qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë në Serbi. Këto sulme janë duke u bërë sistematike dhe askush nuk po ndëshkohet”, është shprehur Hoxhaj në reagimin e tij në rrjetin social Twitter, njofton Klan Kosova.