Tre mjekë të siptalit Kontinental janë proceduar në gjendje të lirë për vdekjen e 16 – vjeçares, Blerta Pepa e cila ndërroi jetë të hënën pas një ndërhyrje kirurgjikale në gju.

Përveç anestezisit Tefik Zhurda, i cili mori pjesë në operacion, policia referoi në prokurori edhe kirurgun gjerman, Ulf Moebius, si dhe mjekun Jovan Kosta. Të tre mjekët dyshohet se nuk kanë respektuar protokollin e operacionit dhe të anestezisë, duke sjellë si pasojë vdekjen e adoleshentes.

Rezultatet paraprake të autopisë tregojnë se vajza ka ndërruar jetë nga temperatura e lartë gjatë operacionit, apo siç njihet ndryshe Hipertermia Malinje. Madje ekspertët Mjeko – Ligjorë kanë vërejtur edhe përdorimin e medikamentit Dantrolen, pikërisht për të shmangur këtë komplikacion.

Sipas dëshmive të stafit mjekësor, problemet me temperaturën nisën rreth 20 minuta pas operacionit dhe pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, vajza nuk mundi të mbijetonte. I vetmi që nuk ka folur është anestezisti Tefik Zhurda, që ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pas tentativës për vetëvrasje.

Prindërit dhe të afërmit e vajzës nuk janë të bindur me këtë version dhe thonë se do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

Për vdekjen e Blerta Pepës, 16 – vjeçares që 3 vjet më parë ka qenë pjesë e spektaklit “Gjeniu i Vogël” në Televizionin Klan reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas saj, një grup pune, po ndjek situatën dhe pas përfundimit të hetimeve do të marrë edhe masat përkatëse për këtë ngjarje të rëndë.

Tv Klan