Drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, është liruar nga paraburgimi në Serbi ku ka qëndruar që nga fundi i muajit shtator.

Autoritetet serbe thanë se kanë pushuar hetimet kundër tij për siç ishte thënë veprën penale të “terrorizmit” në bazë të të cilave ishte arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Konçul, derisa po udhëtonte nëpërmjet Serbisë drejt Evropës perëndimore.

Atëbotë autoritetet serbe i caktuan masën e paraburgimit në bazë të një fletë arresti të Gjykatës së Lartë në Nish.

Prokuroria serbe e ngarkonte atë se në dhjetor të vitit 1999 kishte kërcënuar një familje serbe e cila më pas është zhvendosur nga Kosova, por familjarët thanë se nuk bëhej fjalë për të dhe pas kësaj hetimet pushuan.

Arrestimi i tij kishte nxitur shume reagime në Kosovë, ku parlamenti miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës kërkohej lirimi i i menjëhershëm i Nehat Thaçit dhe për këtë kërkohej edhe ndërhyrja e Bashkimit Evropian.

Autoritetet serbe kanë mbajtur gjykime në mungesë dhe kanë lëshuar urdhër arreste në disa raste për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të pjesëtarëve dhe ish drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Të hënën ministria e Jashtme e Kosovës,u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Komentet e saj pasuan njoftimet se një shtetas tjetër i Kosovës, Hilmi Kelmendi është arrestuar nga autoritetet serbe nën akuzat “për krime lufte”.

Në një komunikatë të ministrisë së Jashtme thuhej se, “pas ndalimit të nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi javë më parë dhe akuzave politike ndaj tij, arrestimi i radhës është i papranueshëm dhe i rrezikon shumë proceset e arritura gjatë periudhës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo u bëri thirrje “shtetasve të Kosovës të cilët për çfarëdo arsye e zgjedhin Serbinë si vend transit gjatë muajve të ardhshëm, ta shmangin atë maksimalisht”./Burimi: Voa (Zëri i Amerikës)