Avionët turq kanë nisur të shtunën bombardimin e objektivave kurde në qytetin e Afrinit në Sirinë veriore, në një lëvizje që ka gjasa të shkaktojë tension me SHBA-të.

Ankaraja zyrtare dhe Presidenti Erdogan kanë akuzuar ashpër SHBA-të ditët e fundit se po armatosin militantët kurdë. Uashingtoni thotë se po i armatos për luftën kundër terroristëve të ISIS, ndërsa Erdogan ka frikë se ato armë mund të përdoren edhe kundër Turqisë.

Turqia i konsideron grupet kurde të YPG-së dhe PYD-së si krahët sirianë të organizatës terroriste kurde në Turqi, PKK, si pasojë e luftës me të cilën janë vrarë mbi 40 000 persona në 4 dekadat e fundit.

Rusia, një tjetër lojtar kyç në rajon – thotë se është e shqetësuar nga zhvillimet dhe ka zhvendosur një pjesë të trupave të saj nga qyteti i Afrinit. Më herët, zyrtarët rusë thanë nga Moska se nuk do të ndërhyjnë në konflikt.

Ndërkohë, Siria ka paralajmëruar më parë se do të rrëzonte avionët turq nëse ato do të shkelnin hapësirën e saj ajrore, por deri më tani nuk ka lëvizje nga Damasku.

Ministri turk i Punëve të Jashtme Mevlut Cavusoglu tha se ka njoftuar të gjithë aktorët në rajon, përfshirë qeverinë siriane dhe SHBA-të, për nisjen e bombardimeve të atyre që ai i quan terroristë kurdë, ndërsa pritet edhe reagimi i parë zyrtar i Uashingtonit. /tvklan.al