Andrea Lubitz

Është e pabesueshme! Tragjedia ajrore e së martës në Alpet franceze u shkaktua me dashje nga piloti i dytë i avionit të “GermanWings”. Këtë e pohoi prokurori i Marsejës, pjesë e grupit hetimor francez, Bris Robin. Ai dha detaje, pas ekspertizës teknike, të 30 minutave të fundit të regjistrimeve zanore të kutisë së zezë. Gjithçka sipas tij, nisi pasi kapiteni u largua nga kabina e avionit.

Brice Robin – Prokurori i Marsejës: “Interpretimi më i pranueshëm është se piloti i dytë, vullnetarisht refuzoi t’i hapë derën kapitenit, për të hyrë në kabinë. Ai e ka shtypur në mënyrë të vullnetshme butonin që çon automatikisht avionin drejt uljes. Veprimin e ka bërë për arsye që deri më tani nuk i dimë. Por mesa duket ka pasur për qëllim të shkatërrojë avionin.”

Prokurori tha se kapiteni ka trokiur disa herë në derën e kabinës. Madje ka tentuar edhe të hyjë dhunshëm në të. Por piloti i dytë nuk ka reaguar.

Në kabinë mbizotëronte qetësia. Gjendja shëndetësore e tij duket se ishte e mirë. Piloti i dytë ishte gjallë deri në momentin që avioni u përplas.

Prokurori e identifikoi me emrin Andreas Lubitz, shtetas gjerman 28-vjeçar, i cili nuk rezulton të ketë patur lidhje me terrorizmin. Ai e kishte nisur trajnimin për pilot në 2008.

Ndërsa ishte punësuar në shtator të vitit 2013 dhe kishte një eksperiencë prej rreth 630 orësh fluturimi. Në ndryshim, kapiteni që është identifikuar në media vetëm me emrin “Patrick”, kishte mbi 6 mijë orë eksperiencë në fluturimi.

Policia gjermane po mban të rrethuar banesën e Lubitz, ku ai jetonte me prindërit, që ndodhet në një zonë mes Frankfurtit dhe Bonit ndersa një hetim i imtësishëm ka nisur për të shkuarën e tij.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në një deklaratë të shkurtër shprehu shokun e saj për këtë zhvillimim të ngjarjeve. Ndërsa tha se vendi i saj do të bashkëpunojë deri në fund për zbardhjen e rrethanave të tragjedisë.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i “Lufthansës”, kompania mëmë e “GermanWings”, Karshten Shpor, konfirmoi i shokuar përfundimet e prokurorit francez.

Ai tha se procesit të rekrutimit dhe përgatitjes së pilotëve i kushtohet vëmendje shumë e madhe, sidomos në aspektin psikologjik. Sipas Shpor, piloti 28-vjeçar në 2009 ka patur një pauzë disa-javore në periudhën e trajnimit, por nuk dha asnjë detaj se cila kishte qënë arsyeja.

harta-avioni

Mësohet se operacioni për gjetjen e mbetjeve të trupave të viktimave do të zgjasë deri në 2 javë. Autoritetet spanjolle njoftuan se kanë gati kampionët e AND-së për identifikimin e 51 shtetasve nga ky vend.

Tv Klan