Kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të pritet nga Kryeministri Edi Rama.

Ceremonia ushtarake e mirëseardhjes do të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave, e që më pas do të vazhdojë me takimet kokë më kokë mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve përkatëse që i shoqëron.

Në takimin mes Ramës dhe Haradinajt pritet të diskutohet forcimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërsa në orën 11:00 do të jetë takimi inaugural i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, që do të kryesohet nga Kryeministria e Shqipërisë dhe Kryeministria e Kosovës. Qeveria Shqiptare e ka shpallur vitin 2018 si vitin e Skënderbeut.

Ndërkohë, 30 minuta më vonë, pra në orën 11:30, është parashikuar konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Haradinaj.

/tvklan.al