Në 35 nga 80 komuna të Maqedonisë është zhvilluar këtë të diel raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Qendrat u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllën rreth orës 19. Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pjesëmarrja deri në orën 17 ishte 43.8%, por përgjithësisht e ulët sidomos në ato komuna të banuara në shumicë nga shqiptarët.

Autoritetet thonë se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa probleme serioze megjithëse nuk kanë munguar edhe incidentet e vogla.

Në Shkup një person është arrestuar pas përfshirjes në një rrahje me disa të tjerë jashtë qendrës së votimit. Ka pasur edhe 3 raste të denoncuara për fotografim të votës. Organizatat joqeveritare kanë regjistruar raste të votimit familjar, ose të një personi që voton disa herë.

Në garë janë 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur. Në balotazh kanë përfunduar shumica e komunave shqiptare. Betejë mes shqiptarëve ka në komunën e Çairit në Shkup, në Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, etj.

Gara mes shqiptarëve zhvillohet mes kandidatëve të BDI-së së Ali Ahmetit e cila ka mbështetjen e LSDM-së kryeministrit Zoran Zaev dhe atyre të koalicionit Aleanca për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Lëvizjes Besa. 5101 vëzhgues vendas dhe të huaj po monitorojnë procesin./Tv Klan