Oxhaku i fabrikës së llullave në Porcelan vazhdoi të nxjerre tym edhe mbrëmjen e së dielës, ashtu si të premten dhe të shtunën.

Këto pamje janë marrë në orën 20:00.

Banorët shprehen se situata është bërë e padurueshme.

Thonë se tymrat që vijnë nga djegia e materialeve te ndryshme, që përdoren për procesin e bërjes së llullave, shpërthejnë zakonisht gjatë natës.

Dy inspektore të mjedisit nisën mesditën e të hënës një kontroll në këtë subjekt, që njihet me emrin tregtar “Lorenzo Tirana”.

Drejtues të Ministrisë së Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit nuk iu përgjigjen shqetësimit të Televizionit Klan dhe banorëve të zonës mbrëmjen e të premtes, për t’i dërguar inspektorët në kohën kur tymi kishte mbuluar lagjen dhe kur mund ta konstatonin lehtësisht ndotjen, siç shihet në këto pamje.

Çuditërisht, pavarësisht ankesave, inspektoret thonë se janë njoftuar vetëm të shtunën paradite.

Administratori i kompanisë private pretendon se ka gjithçka ne rregull. Por është jo pak i irrituar si me grupin e xhirimit ashtu edhe me inspektorët. Punonjësit e shtetit i kërcënon se do t’u shkruaje eproreve të tyre.

Administratori nuk pranon se punohet gjatë natës dhe se në furrat e tij digjen materiale plastike, siç thonë banorët. Insiston se furra punon me tallash, por nuk pranon të tregoje se çfarë shkrihet në furrë, pasi tallashi përdoret vetëm për ta vene atë në punë. Po ashtu nuk pranon as kamerat.

Banorët e Porcelanit shprehen se tymi që vjen nga kjo fabrikë është i padurueshëm dhe se do të përdorin çdo mjet për ta ndaluar ndotjen.

Inspektoret e mjedisit do ta vijojnë kontrollin për 5 ditë më radhë për të parë nëse fabrika është e pajisur me filtrat e nevojshëm dhe nëse i përdor ato ne çdo kohë, apo i heq gjate natës, për të përshpejtuar procesin e djegies së materialit që përdoret për llullat.

Sepse siç pohon edhe vete administratori, ai gjendet nën presion për të realizuar normën që i kërkon pronari italian, çka duket se e detyron t’i ndezë furrat edhe gjatë natës.

Tv Klan