Rrugëtimi në këmbë drejt protestës të Partisë Demokratike i ka gjetur banorët e fshatit Zharrëz të Fierit në afërsi të Kavajës. 

Pas grevës së urisë, me pankarta në duar, e disa me karroca, për shkak të pamundësisë fizike, banorët dëkojnë largimin e kompanisë Bankers Petrolium nga zona e Patso Marinzës. Ata kanë vite që akuzojnë firmën si shkaktare të tërmeteve dhe prishjes së shumë prej shtëpive të tyre.

Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë u bën thirrje banorëve të kthehen dhe të bisedojnë me pushtetin vendor për të rregulluar banesat.

Ilir Bejtja thotë se janë porositur sizmo-matësat të cilët do të përdoren për të gjetur fajtorin e lëkundjeve, ndërsa brenda disa ditësh do të caktohet dhe një ekspert i pavarur ndërkombëtar që do të përcaktojë kush është fajtor për lëkundjet.

40 banorë të këtij fshati vijojnë rrugëtimin drejt Tiranës, nga ana e saj kompania Bankers Petrolium nuk pranon përgjegjësi për tërmetet dhe thotë se lëkundjet janë natyrale./ TV KLAN