Është kthyer në një gjueti të vërtetë operacioni policor në kërkim të Junes Abujakub, 22-vjeçari maroken, i cili u konfirmua se është ai autori i masakrës së Barcelonës.

Autoritetet në Spanjë lëshuan një mandat ndërkombëtar arresti, duke lajmëruar vendet e tjera europiane, veçanërisht Francën fqinje, pasi dyshohet se terroristi mund të ketë kaluar kufirin.

Disa foto të njeriut më të kërkuar të momentit u shpërndanë nga mediat spanjolle. Junes Abujakub, u fiksua nga kamerat e sigurisë një ditë përpara sulmit në Barcelonv. Operacione kërkimesh u kryen në zonat malore të Pirenejeve dhe në qytezën Ripoll, aty ku kishte lindur celula terroriste e marokenëve.

E përditshmja katalanase El Mundo, raporton se Said Alla, njëri prej terroristëve u kishte lënë një letër prindërve, përmes së cilës u kërkonte falje. Të afërmit e tij thanë për gazetën se ditën e sulmit, Said kishte marrë një telefonatë dhe ishte larguar nga shtëpia për të mos u kthyer më.

Sipas shefit të policisë së Barcelonës, terroristët kishin 6 muaj që planifikonin në detaj sulmin. Baza e tyre ishte banesa në një fermë në Tarragona, ku policia zbuloi materiale të shumta shpërthyese.

Ndërkohë ministria e brendshme spanjolle njoftoi se bilanci zyrtar ka shkuar në 15 viktima.

Përveç autorit te sulmit në Las Ramblas, në kërkim janë edhe 2 xhihadistë të tjerë. Të dielën policia katalanase njoftoi se celula terroriste e përbërë nga 12 burra, konsiderohet e shkatërruar./Tv Klan