Akuzat për lidhje me krimin e bandat Lulzim Basha ia kujtoi kryeministrit Edi Rama edhe nga zona e tij elektorale, gjatë një takimi që zhvilloi me të rinj vlonjatë. Kreu i demokratëve i ftoi t’i bashkohen lëvizjen mbarëpopullore të 18 shkurtit për të cilën tha se do të shtrihet në mbarë vendin.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Populli i Vlorës është i braktisur nga kryedeputeti i saj. Populli i Vlorës është më i braktisuri, më i harruari në mjerimin ekonomik, në probleme dhe në brengën e madhe, hallet e mëdha, mungesës së ndihmës ekonomike, pensioneve të pamjaftueshme, faturave të larta, mungesës së shpresës dhe mundësisë për nesër. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për ti thënë ndal arrogancës së pushtetit, për ti thënë jo pushtetit të lidhur me krimin.

Basha shprehu bindjen se vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme shqiptarët do të marrin fatet e tyre në dorë.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Nuk do të ketë votime por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë.

Gjatë ndalesës në Vlorë, kreu i opozitës u takua edhe me qytetarë të thjeshtë për problemet që hasin dhe ndau me ta thirrjen për t’iu bashkuar protestës së të shtunës në kryeqytet./ TV KLAN