Kreu  opozitës Lulzim Basha, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama se opozita kërkon të marrë peng të ardhmen e vendit, tha se Anti-europian është vetëm projekti i kreut të qeverisë  për shkatërrimin  e zgjedhjeve në aleancë me krimin. Basha tha se opozita po mbron vlerat demokratike, për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Të ndalësh demokracinë me krim dhe drogë nuk është aspak patriotike dhe të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme nuk është aspak anti-europiane. Anti-europian është vetëm projekti i Ramës për kapjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve. Njerëzit në këtë cadër po mbrojnë vlerat europiane dhe demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Ndërsa më herët kreu i PD  ripërsëriti qëndrimin  e opozitës së bashkuar për të mos u regjistruar në KQZ.  Basha sulmoi kësaj radhe jo vetëm kryeministrin, por edhe kreun e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba për shfryrjen me 19 ditë të afatit të regjistrimit të partive politike për zgjedhjet parlamentare.

Gjatë pasdites së të dielës në  çadrën e opozitës mori pjesë edhe ish-kongresmeni amerikan Bob MvEwen, i cili  mbështeti protestën e opozitës.

/ TV KLAN

 ***

Basha: Afati skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë!

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha foli nga “Sheshi i Lirisë” sëbashku me artistët e pedadogët e pranishëm. Ai e nisi fjalimin e tij me një minutë heshje për Artan Cukun, ish-drejtorin e policisë së Vlorës dhe më pas kritikoi shtetin shqiptar, Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm për heshtjen ndaj vrasjes makabër. 

Basha shtoi gjithashtu se afati po skadon dhe opozita nuk do të regjistrohej për zgjedhje fasadë.

“Vëllezër dhe motra ai shërbeu në policinë e shtetit në krye të drejtorisë së krimit të Tiranës dhe Vlorës. Një nga qarqet problematike të krimit të organizuar për trafikun e drogës.

Kanë kaluar 12 orë nga kjo vrasje makabër e mafias. Një oficer që i shërbeu ligjit u flak në rrugë dhe i vetmi që nuk ka reaguar është shteti shqiptar, Ministri i Brendshëm, Kryeministri.

Nuk kanë gjetur kohën të thonë një fjale të vetme, as ata e as miqtë e tyre që nuk lënë moment pa folur broçkulla për 12 tonët e drogës të kapur në Përmet.

Kjo është fabula e një njeriu që ka humbur realitetin duke u zhytur në vizatimet e tij.

Kur pi shishe vere që bën sa 10 pensione mesatare, këta njerëz në këtë çadër të duken mjeranë, të duken mjeranë ata që ngrihen kundër teje. Të mjerë e bere ekonominë, shëndetësinë, arsimin, popullin tënd nëpërmjet papunësisë të mbjellë kudo.

Mjerimi është vepra jote Edi Rama.

Të privilegjuarit janë prapa fasadave. Të ulur mbi sënduqet e drogës, poshtë këmbëve, para hundës.

Populli është i mjerë por jo i pashpresë. I ke bashkuar ti demokratë e socialistë. Të paralajmëroj të mos i frysh zjarrit të përçarjes së shqiptarëve nëpërmjet parullave të tua raciste. Hiq dorë nga kërcënimi ndaj opozitës dhe kauzës së shqiptarëve të bashkuar. Luftë, përplasje civile për të mbrojtur karrigen tënde të korruptuar, kurrë nuk do të ketë në Shqipëri!

Shikoni sa bukur përpiqet t’i shpëtoje këtij gjykimi popullor. Ju jap KQZ thotë, po ti ke krimin, ti ke drogën, një KQZ në këto kushte është kukull.

Denar biba je kryetar i KQZ, jo Papa i Vatikanit!

Për të qeshur, por më shumë për të qarë kur mendon se në duart e kujt ka përfunduar ky vend. S’ka fytyrë të thotë një fjalë për një ish-polic.

Afati skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë!”/tvklan.al