Nga çadra e protestës së opozitës, kreu i demokratëve Lulzim Basha ripërsëriti thirrjen se nuk mund të ketë drejtësi me një qeveri të inkriminuar, që sipas tij e ka kthyer vendin në Republikën e drogës e trafikantëve.

“Ti e ke thyer drejtësinë në vegël për të nxjerrë bandat nga burgu që e ke përditë në zyrë, darkon e gdhihesh me krimin. Kjo është farsë, s’ka drejtësi me një qeveri të inkriminuar, s’ka drejtësi pa zgjedhje të lira e të ndershme, do ketë drejtësi vetëm nga një qeveri pa lidhje me krimin.”

Rasti i Kelment Balilit dhe ai i ish – deputetit Mark Frroku, për kreun e opozitës janë dëshmi e lidhjeve të qeverisë me krimin e bandat e narkotrafikut.

Për të treguar se nën qeverisjen e Ramës vendi është mbuluar nga droga, protestuesit në mënyrë simbolike hodhën miell përpara godinës së Kryeministrisë.  

Sipas Bashës, Republika e re që do të dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme do të luftojë kultivimin e kanabisit duke garantuar kontrollin e territorit, që sipas tij, do të mundësohet nga krijimi i xhandarmërisë.

Droga dhe pasojat në shoqëri ishte dhe temë kryesore e takimit që kreu i demokratëve zhvilloi në çadrën e protestës me të rinj e sociologë të njohur.  

Tv Klan