Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Shqiptar se po përpiqet t’i gënjejë sërish shqiptarët pasi në pasi nuk mbajti asnjë premtim që kishte dhënë katër vite më parë.

“Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para.”

Kryedemokrati kujtoi se Rama premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. “300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë.”

Ai tha se në katër vite, të varfrit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfrit.

Basha akuzoi kryeministrin Rama se kishte dështuar me shëndetësinë e premtuar falas dhe për braktisjen e fermerëve.

“Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet.”

“Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqendrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre”, tha Basha./tvklan.al