Nga Lushnja ku u takua me fermerë të Çermës dhe Dushkut, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha premtoi se pas ardhjes në pushtet bujqësia do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Investimet në infrastrukturë si dhe subvencionet për fermerët do të jenë skema, që sipas Bashës synojnë rimëkëmbjen e këtij sektori.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së: “

“1.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetje buxhetore për bujqësinë, kjo është 150 milionë euro në vit. 50 milionë për infrastrukturën, për kanalet, për digat, për ujitjen, për rrugët e  aksesit, për tregun, se edhe tregu është problem dhe 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.  Sot planifikojnë 5 milionë, nuk i shpërndajnë as 2 milionë sepse i vjedhin. Me 100 milionë euro subvencione çdo familje fermerë do të mbështetet drejtpërdrejtë me lekë në dorë. Nuk do të ketë as kërkesë për NIPT, nuk do të ketë as burokracira të tjera, as të kesh kaq dynym, as të kesh kaq kokë lopë, sa kokë mështjerra ke, sa hektarë tokë ke, po ti punosh do të marrësh subvencion nga shteti. Kjo është skema jonë.”

Shqetësimit të të rinjve për mbylljen e filialit të Universitetit Bujqësor në Lushnje, kreu i demokratëve iu përgjigj me një premtim.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së:

“Të gjitha filialet do të rihapen dhe do të financohen. S’kemi ne hesap të mbyllim filiale. A po, cilësia do përmirësim dhe do të ketë përmirësim.”

Gjatë vizitës në një kompani prodhimi Basha u shpreh se program ekonomik i demokratëve synon uljen e taksave, zerimin e dividentit , taksimin e sheshtë  9% dhe uljen e tvsh-së në 15%.

TV Klan