Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi mbrëmë një darkë pune me kongresmenët  Devin Nunes, Kryetar i Komisionit për Inteligjencën në Kongresin amerikan, dhe Rick Craëford, anëtar i këtij komisioni.

Në fokus të bisedës ishte situata në Shqipëri dhe rajon dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA për t’u përballur me kërcënimet e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit.

Mësohet se kreu i opozitës i njohu kongresmenët amerikanë me fakte dhe të dhëna për rolin e organizatave kriminale në bashkëpunim me qeverinë për blerjen dhe manipulimin e votës së 25 Qershorit.

Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin për shumë prej problemeve të evidentuara në zgjedhje dhe u shprehen në mbështetje të një reforme të thellë zgjedhore dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Po ashtu, bëhet e ditur se ata shprehën shqetësimin për rritjen galopante të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri. Siç mësohet, Basha i siguroi kongresmenët për qëndrimin e palëkundur të PD, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, në shërbim  të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mbarë rajonit./tvklan.al