Kthimi i Partisë Demokratike në fuqi numerike është sfida që Lulzim Basha thotë se ka nëse demokratët do t’i japin një tjetër mandat për t’i drejtuar edhe katër vitet në vijim. Në mbyllje të fushatës elektorale me anëtarësinë e njësisë 5, 10 e 11 në Tiranë,  Basha u shpreh se  zgjedhjet e  25 Qershorit legjitimuan kauzat e opozitës në luftën kundër drogës dhe dekriminalizimit.

“Kthimi i kësaj force morale me të cilën hymë në betejë dhe dolëm nga beteja në një fuqi numerike dhe politike është tani sfida jonë.  ishin kriminelët në institucione që bashkë me Edi Ramën zhvilluan projektin politik të mbulimit të Shqipërisë me drogë sepse kishte vetëm një qëllim, të kapte proceset zgjedhore. Por as procesi që i parapriu por as vetë 25 qershori nuk ishin përplasje  vizionesh dhe idesh. Njësoj si në ’91 vendimi nuk do të diktohej nga shpresa për të nesërmen por nga frika, nga dëshpërimi, nga varfëria e thelluar që u ble me paratë e drogës”, tha Basha.

Edhe pse është vënë nën akuzë për anashkalim të strukturave të partisë për marrëveshjen e 18 majit dhe listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhje, Basha i premtoi demokratëve të Cërrikut e Kamzës se vendimmarrjet e rëndësishme do të kalojnë përmes anëtarësisë.

“Përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD. Dhe se ky proces nënkupton në radhë të parë anëtarësinë reale dhe jo fiktive, aktive dhe jo pasive të Partisë Demokratike, si trupën vendimmarrëse. Kjo pra është sfida e brendshme, bashkimi i të gjithë demokratëve në bazë të kontributeve të çdo demokrati, vlerësimi i këtyre kontributeve nga anëtarësia e Partisë Demokratike.”

Të shtunën 103,952 anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur  të votojnë përmes parimit “një anëtar një votë” për kreun e ri të kësaj force politike, ku të vetmit kandidatë në garë janë Lulzim Basha e Eduard Selami.

/Tv Klan