Nga Vora, ku u takua me disa biznese fason, kreu i opozitës, Lulizm Basha prezantoi programin ekonomik të Partisë Demokratike. Rritja e pagës minimale, ulja e çmimit të energjisë për familjet, që konsumojnë më pak se 300 kw/h, tha Basha, janë dy nga shtyllat e platformës së demokratëve.

“Që t’ua bëjmë jetën pak më të lehtë gjithsecilës prej jush, e para është që t’ju rrisim rrogën apo jo?! Çmime më të ulura, për shembull për energjinë elektrike. 56 përqind e shqiptarëve harxhojnë më pak se 300 kw. Po për këta 56 përqind që është pjesa më e varfër e shqiptarëve, çmimi është rritur. Do të ulim çmimin e energjisë për 30 kw e parë. Fatura e energjisë që do të paguani për familjet tuaja do të jetë më e ulur. Po kështu fatura e energjisë për biznesin do të duhet të ulet sepse është rritur nga 9 lekë/kw orë në 14 lekë/kw orë”.

Kryetari i Partisë Demokratike premtoi lehtësi fiskale për bizneset me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës.

“Platforma jonë për rritjen ekonomike, për hapjen e vendeve të punës dhe për vende pune me paga më të larta është platforma e taksës së sheshtë 9 përqind, 9 përqind tatim mbi fitimin, 9 përqind kontributet shoqërore, 0 përqind taksë mbi dividentin, 15 përqind tatim mbi vlerën e shtuar. Këto janë disa nga stimujt fiskalë që ne do t’i japim sipërmarrjes shqiptare”.

Basha tha se pas ardhjes në pushtet do të zhbëjë edhe reformën e pensioneve dhe garantoi rritje pensionesh përtej indeksimit për inflacionin.

Jolldiz Mitro/Tv Klan