Një ditë pas depozitimit në Kuvend të kërkesës së firmosur nga 33 deputetë të mazhorancës, për futjen në procedurë parlamentare të draftit të Reformës në Drejtësi, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër, duke e quajtur  lëvizjen e shumicës një akt të ulët provokimi dhe përshkallëzimi të  tensionit shoqëror në vend.

Ai thotë se Kryeministri Rama po kërkon të kapë drejtësinë me çdo kusht, por kjo manovër shprehet ai, do të dështojë me turp.

Burime nga mazhoranca thonë për Televizionin Klan se, pavarësisht nismës së depozituar në parlament nga 33 deputetët e mazhorancës, përfshi edhe dy aleatët e majtë, Petrit Vasilin e LSI-së dhe Tahir Muhedini i PDIU-së, negociatat për ta gjetur konsensusin e opozitës vijojnë.

Të njëjtat burime sqarojnë se aktualisht janë ekspertët ndërkombëtarë ata që po shpeshtojnë takimet mes dy palëve, për të arritur dakordësinë.

Një ditë më parë Ambasadori amerikan, Donald Lu, zhvilloi për afro një orë një takim kokë më kokë me kreun e demokratëve Basha, i cili duket i palëkundur për të lëvizur nga pozicioni i vendeve të rezervuara, në organet e reja të drejtësisë.

Tv Klan