Lulzim Basha ka pranuar për herë të parë dështimin e marrëveshjes së arritur mes tij dhe kryeministrit Rama. Përpara demokratëve të Tiranës Basha u shpreh se pakti i 18 majit nuk e frenoi dot deformimin e votës në zgjedhjet e 25 qershorit.

 “Ndonëse 18 Maji legjitimoi kauzën tonë të drejtë para çdo shqiptari dhe para komunitetit ndërkombëtar, nuk arriti as ta frenojë dhe as ta shkatërrojë mekanizmin që ishte vënë në lëvizje. Me një kushdërshtar politik që tashmë kishte minuar tërësisht terrenin elektoral, me shpërndarjen masive të parave të pista të drogës dhe përqindjen e tenderave dhe koncensioneve korruptivë, për të detyruar qytetarët të tjetërsojnë vullnetin e tyre apo duke mbledhur kartat e identitetit.”

Rivali i vetëm i tij në garë, Eduard Selami  jo pak herë në takimet me anëtarësinë ka kërkuar nga Basha zbardhjen e kësaj marrëveshjeje, duke u shprehur edhe kundër një koalicioni të mundshëm Rama-Basha. Edhe në takimet me demokratët e kryeqytetit ku vijoi fushatën, Selami e ftoi Bashën të bëjë një analizë të thellë të humbjes, si përgjegjës për disfatën e demokratëve në zgjedhje.

“Është koha për një analizë të sinqertë, dhe ti shikojmë gjerat në sy. Njerëzit që shikojnë në dritare për të fajësuar të tjerët,  nuk janë ata që ecin përpara dhe kanë  sukses. Po vazhdojmë të humbasim se kemi braktisur demokratët, kemi braktisur strukturat, kemi braktisur demokracinë, dhe do të rikthehemi më të fuqishëm vetëm kur të vendosim këto themele,  më të forta se i kemi pasur”

Teksa Lulzim Basha gjatë takimeve më anëtarësinë në Tiranë u shfaq nostalgjik për 90 ditët e protestës në çadër, Selami sërish I kujtoi se ndodhet në një garë të pabarabartë në këto zgjedhje.

Tv Klan