Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka rikujtuar Revoltën e Qafë Barit, ku tha se si sot 34 vjet me parë u fitua për disa orë liria, për disa orë ra sistemi gjakatar komunist. Në një status në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë duhet të ngrihen të gjithë shqiptarët dhe të marrin pjesë në protestën e 26 Majit.

“Me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë, ju ftoj të bashkohemi të shtunën me 26 Maj, në orën 11 ne Tiranë, të gjithë bashkë në protestën kombëtare ngrihemi kundër padrejtësisë, kundër qeverisë së lidhur me krimin, për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Statusi i plotë:

11 vite pas kryengritjes së Spaçit që ngjalli shpresë dhe i dha kurajo njerëzve, një tjetër akt heroik në një tjetër burg famëkeq ndodhi, Revolta e Qafë Barit.

Të dënuarit politik ngritën krye ndaj shtypësve të tyre. Falë kurajos së tyre mbinjerëzore në Qafen e Barit, si sot 34 vjet me parë u fitua për disa orë liria, për disa orë ra sistemi gjakatar komunist.

Burrat që kryen këto akte heroike, janë frymëzim njerëzor dhe atdhetar. Ata kërkuan lirinë, ata u ngritën kundër padrejtësisë brenda burgjeve mizore.

Në shembullin e guximit të tyre të pashoq, do të bashkohen të shtunën shumica e shqiptarëve që e duan vendin pa krim, pa drogë, pa ministra të lidhur drejtpërdrejt me bandat, pa një kryeministër që mbron hapur te keqen.

Me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë, ju ftoj të bashkohemi të shtunën me 26 Maj, në orën 11 ne Tiranë, të gjithë bashkë në protestën kombëtare ngrihemi kundër padrejtësisë, kundër qeverisë së lidhur me krimin, për Shqipërinë si gjithë Europa./tvklan.al