Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se fuqia e kryeministrit Edi Rama është tek persona të inkriminuar dhe të veshur me pushtet si Elviz Rroshi dhe Armando Prenga.

“Ky e mban Armando Prengën, ky e mban Elvis Rrroshin, ky i mban banditët dhe nxjerr banditë të tjerë nga burgu ditë për ditë sepse kjo është republika e krimit, kjo është republika e bandave,” tha Basha, para protestuesve tek “Çadra e Lirisë” në bulevard para kryeministrisë.

Basha u zotua për qëndresë “derisa ta varrosim me fuqinë e bashkimit qytetar.”

“Bashkë nga ky shesh po i japim jetë dhe frymë një republike të re, më e madhe se Lulzim Basha, është më e madhe se Partia Demokratik, sepse është republika juaj, është republika e qytetarëve shqiptarë, është republika e shqiptarëve që nuk mund të pranojnë më një shtet të standardeve kriminale por duan dhe do të kenë një shtet të standardeve evropiane.”

Basha tha se Republika e re do të ketë “barazi para ligjit për të gjithë nga qytetari më i thjeshtë tek kryeministri dhe presidenti i republikës, me mundësi për të gjithë që secili të çajë përpara në bazë të meritës, një republikë që do të na bëjë krenarë…”

Kryetari i Partisë Demokratike tha se nga republika e re shqiptarët nuk do të duan kurrë të largohen, por do të kthehen edhe ata që kanë ikur për të gjetur shanset për një jetë të dinjitetshme me punë të ndershme.

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin e kryebashkiakut pas problemeve që pati me ligjin e dekriminalizimit, Elvis Rroshi vijon të qëndrojë në detyrë. Një dokument i bërë publik nga ish-kryeministri Berisha fakton korrespondencën zyrtare si kryebashkiak i Kavajës nga ana e tij me vetë titullarin e institucionin që dy muaj më parë faktoi se Elvis Rroshi ishte në shkelje të ligjit pas kërkesës së sjellë nga organi i akuzës. /tvklan.al