Në një lidhje direkte me ABC News, kreu i opozitës, Lulzim Basha tha se Shqipërinë nuk e ka pushtuar mungesa e vetingut, por krimi e kriminelët. Sipas tij, janë pikërisht kriminelët që marrin vendime dhe drejtojnë vendin.

Basha theksoi se çlirimi i Shqipërisë nga krimi nuk vjen përmes vetingut po përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sa për dialogun, kreu i PD tha se vazhdon me të njëjtin mesazh; gati për dialog të vërtetë, jo fasadë.

Kryeministri Rama ka shkruar sot në mbrëmje në Facebook; “Dialog për çdo çështje dhe pa kushte me opozitën, edhe tek çadra po të duan, po opozita nuk duhet të mbajë peng Drejtësinë dhe të ardhmen e këtij populli duke bllokuar Vetingun që çliron Shqipërinë”. Cila është përgjigja juaj për këtë ftesë, le të themi, të kryeministrit Rama?

“Shqipërinë nuk e ka pushtuar mungesa e vetingut. Shqipërinë e ka pushtuar krimi, kriminelët në Parlament, kriminelët në bashki, kriminelët kudo në qytetet dhe fshatrat tona. Ata që marrin vendime, që emërojnë e që shkarkojnë njerëz në Policinë e Shtetit, në Dogana, në tatime, në administratë. Ata që vendosin kur, kush dhe si merren lejet e ndërtimit. Ata që përcaktojnë tenderat publikë. Ata që drekojnë e darkojnë me kryeministrin dhe ministrat. Këta janë njerëzit që kanë pushtuar Shqipërinë bashkë me drogën dhe aferat e tyre kriminale që tashmë i njeh Shqipëria, Italia, Greqia, Europa dhe Amerika. Çlirimi i Shqipërisë nga krimi nuk vjen përmes vetingut po përmes zgjedhje të lira dhe të ndershme. As Edi Rama dhe askush tjetër nuk i hedh dot trutë e gomarit shqiptarëve duke i bërë të besojnë se vetingu i votuar nga Prenga dhe kolegët e tij qenka zgjidhje për Shqipërinë. Sa për dialogun, në më pak se 30 orë ka thënë 3 gjera të ndryshme që është tipike e tij. Unë vazhdoj me të njëjtin mesazh që i kemi dhënë ditën e parë si opozitë e bashkuar; gati për dialog të vërtetë, jo fasadë. Nuk ka pse të vijë për shfaqe në çadë. Gati për dialog të vërtetë, jo fasadë, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike që do të garantojë zbatimin e ligjit të menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, luftë efikase kundër krimit të organizuar, drogës dhe parave të drogës, kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimin e plotë të reformës në drejtësi duke nisur me komisionet e vetingut sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 Korrikut. Kjo është axhenda që kemi përcaktuar dje kur bënë ofertën e parë për dialog para se të ndërronte mendje e ta tërhiqte atë ofertë. Kjo është edhe përgjigja që ka edhe sot nëse është serioz, nëse me vërtet i dhimset Shqipëria dhe e ardhmja europiane e saj. Sepse këto 3 vite ka treguar se nuk ia ka ndjerë fare as për Shqipërinë, as për të ardhmen europiane, as për Europën. E mbushi Shqipërinë me drogë. Solli kriminelët në pushtet. E largoi Shqipërinë nga e ardhmja e saj europiane. Kush e beson se në Europë futesh pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush e beson se në Europë futesh me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë. Kush e beson se futesh në Europë kur Brenda një viti e shndërruan vendin në prodhuesin më të madh të drogës në Europë. Nëse është serioz, nëse i ka thirrur mendjes dhe është serioz atëhere ti hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe vetingut duke dhënë dorëheqjen. Ky është akti që presim dhe kjo i hap rrugë dialogut për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 Kërkoni dorëheqjen e kryeministrit Rama?

“Po sigurisht. Qeveria teknike parashikon në radhë të parë largimin e tij. Mendoj që është e qartë për çdo shqiptar. Pra, do vetingun, do me të vërtetë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dialog për qeverinë teknike që sonte. Nëse është vonë për të, nesër. Nuk ka nevojë të vijë në çadër. Forcat politike opozitare janë të gatshme të ulen në çdo tryezë për të diskutuar kushtet me anë të së cilës do ti japim Shqipërisë demokracinë e vërtetë përmes zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme dhe drejtësinë e vërtetë përmes vetingut të vërtetë sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 Korrikut. Ky është testi i tij, jo i opozitës. Është testi i tij përpara qytetarëve shqiptarë”./

tvklan.al