Lulzim Basha e sheh të zymtë situatën e gruas shqiptare këtë 8 mars. Nga Berati, ku u takua me banorë të rajonit 1 në këtë qytet, kreu i opozitës thotë se bilancin negativ e lexon tek arbitrariteti dhe paligjshmëria e qeverisë.

Lulzim Basha, Kryetar i PD:

“Që sot në këtë 8 Mars nuk kanë asnjë arsye të vërtetë të ndihen më të lumtura se një vit më parë apo dy vite më parë, apo tre vite më parë. Por, kanë shumë arsye të ndihen më të shqetësuara, më me shumë ankth për veten e tyre, për familjet e tyre e në veçanti për fëmijët e tyre. Ja pra ku jemi, ky është produkti i një qeverie që erdhi me mashtrime, qeverisi me mashtrime dhe me vjedhje dhe po mundohen t’i ikin gjykimit të qytetarit shqiptar përsëri me mashtrime.”

Basha e akuzoi Kryeministrin Rama se në shkelje të kushtetutës po merr në mbrojtje tre deputetët, Kokëdhima, Leskaj e Suli, të vënë në akuzë nga opozita për përfitime të parave publike. Ai iu rikthye akuzave edhe për zgjedhurit të me të shkuar kriminale, pas së cilëve tha se sheh një skenar të kryeministrit për të prishur zgjedhjet.

 Lulzim Basha, Kryetar i PD:

“Për një kupon merret dhe shoqërohet në polici, ndërkohë që Koço Kokëdhima që merr 150 transaksione financiare nga paratë e beratasve dhe gjithë shqiptarëve, refuzon të dorëzojë mandatin, ndërkohë që Kushtetuta i thotë që nuk ka të drejtë të mbajë mandatin, në qoftë se ka abuzuar me lekët e taksapaguesve shqiptarë. E po kështu për Vali Leksajn që ka marrë hekurudhën e Rakip Sulin që merr lekët e OSHE-së që i paguani një për një gjithsecili prej jush.”

Basha tha se kthimi i parave në xhepat e shqiptarëve është prioritet i Partisë Demokratike.

Tv Klan