basha-durres

Heqja e TVSH për ushqimet e shportës, një nga premtimet e programit të Rilindjes është pjesë e ofertës së Partisë Demokratike, për të ndëshkuar me votë në 21 Qershor qeverinë Rama-Meta.

Nga Belshi, Cërriku dhe Bradasheshi ku vijoi turin elektoral, Basha u njoh me shqetësimet e banorëve për papunësinë, ritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe rënien e fuqisë blerëse.

Lulzim Basha – Kryetar i PD: “Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për fatura e kamatë-vonesat, t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë e të blejnë mallrat kryesore, të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’ kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, bukën, kurse ai tjetri s’ka lekë të japë për bukën?!

Sipas Bashës, krerët e mazhorancës nuk kanë asnjë ofertë për shqiptarët, pasi në dy vjet qeverisje, e zhytën vendin në varfëri dhe nuk mbajtën premtimet elektorale.

Nga Durrësi ku vijoi turin e bashkëbisedimit me qytetarë e tregtarë, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, ironizoi fushatën elektorale të kundërshtarit të tij politik.

Kryeministrin Rama e akuzoi për mungesë respekti ndaj grave, jo vetëm me politikat e tij qeverisëse, por edhe në fushatë elektorale.

Lulzim Basha – Kryetar i PD: “E dimë mirë ne se sa i do gratë Edi Rama, e dinë familjet e Brunilda Mekës, që e çoi drejt vetëvrasjes kur e hoqi nga puna, e di familja e asaj zonjës tjetër që ra në korent sepse ia kishte shkyçur korrentin, megjithëse  e kishte fëmijën me azmë. E dinë gratë kryefamiljare që rrisin jetimë, sepse burrat i hoqën nga puna dhe u mori edhe jetën me vetëflijim, nga Rrogozhina në Tale të Lezhës. I përdori gratë për të hequr rivalët e tij në parti dhe pastaj i detyroi gratë që të jepnin dorëheqjen që të fuste kriminelët në parlament. Ky është Edi Rama dhe respekti i tij për gratë”

Basha u takua dhe me banorë të Shënavlashit, të cilët i ftoi që në 21 Qershor, të votojnë ofertën e së djathtës për punë, zhvillim e mirëqënie.

Tv Klan