Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha, ka akuzuar sot Edi Ramën se Elvis Rroshin, të dënuar për përdhunim në Itali dhe Zvicër, e mban si të plotfuqishëm në krye të Partisë Socialiste të Kavajës dhe de fakto në krye të bashkisë së qytetit.

“Elvis Roshi i dënuar në Itali dhe Zvicër për përdhunim dhe trafik droge, me mandat të hequr si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, mbetet i plotfuqishmi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste të Kavajës dhe de fakto në krye të bashkisë së qytetit,” tha Basha.

Ai tha se dalja e Rroshit krah për krah me Arben Ahmetajn si drejtues i fushatës zgjedhore në Kavajë është skandal politik dhe shkatërrim i procesit të dekriminalizmit.

“Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.”

Basha tha se kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. “Nuk ndahet dot nga trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë.”

Basha më tej u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të dalin në protest me 18 Shkurt për t’i prerë rrugën krimit në politikë./tvklan.al