Ftesës së bërë nga kryeministri Edi Rama vetëm pak metra larg çadrës së opozitës, Lulzim Basha iu përgjigj menjëherë, por me kushtin që axhenda e diskutimeve të ishte ajo e dakordësuar javën e kaluar mes negociatorëve të dy palëve për qeverinë teknike dhe mandatin e saj.

Lulzim Basha Kryetar i PD-së

 “

Lëri broçkullat, zgjidhe vetë vendin, orën, por nuk vij unë të bëj fotografi dhe monologje shterpë me zotërinë tënde se as më merr e as do më marrë malli të bëj fotografi me ty. Nëse do dialog ti, cakto negociatorin. Nuk do takohemi për përshesh me grosh, por për fatet e shqiptarëve. Nëse ta mban të ndahesh nga krimi, pikat janë rakorduar: qeveri teknike dhe jep mandatin e qeverisë. Cakto negociatorin, bëhu burrë, ndahu nga krimi. Numrin e negociatorit e ke tash 7 ditë. Unë s’të kërkoj pushtet në tavolinë, por një qeveri teknike ti japë vendit të drejtën sovrane që ua kanë hequr kaq here”.

Në mungesë të dorëheqjes së kryeministrit Rama dhe vendosjes së dialogut mes palëve, Basha e paralajmëroi kundërshtarin e tij politik për fundin që e pret nga përshkallëzimi i protestës së opozitës.

Lulzim Basha Kryetar i PD-së

Nëse s’ke guxim të ndahesh nga krimi me dialog, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Kavajë e gjithë vendin, atëherë ndarja jote do jetë përballja me levizjen më të madhe popullore, sepse ne nuk do të pranojmë zgjedhje të diktuara nga krimi dhe droga, as në Kavajë, e as në qershor.”

Nga çadra e opozitës Basha bëri një tjetër denoncim pas atij të një dite më parë kur foli për një magazinë me 100 ton kanabis në Manzë të Durrësit. Ai tha se 400 tonë drogë ndodhen në Lezhë nën mbrojtjen e krimit e trafikantëve që sipas tij kanë mbështetjen e kryeministrit Rama.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, i cili tha se janë kryer kontrolle në zonën e Manzës ku nuk është gjetur asnjë magazine me drogë. Xhafa i  kërkon Prokurorisë të kryejë sa më shpejt verifikimin e fakteve dhe të nisë kryesisht hetimin, për të sqaruar nëse pretendimet e Bashës  janë thjesht në kuadër të luftës politike apo kanë karakter dhe elementë të krijimit të destabilitetit politik që përbën rrezik për sigurinë e vendit.

Tv Klan