Maxhoranca duket e vendosur që të ulet në tryezën e reformës zgjedhore me projektin e dakordësuar në marrëveshjen e  18 Majit mes  Ramës dhe Bashës.

Këtë e ka bërë të qartë vetë kryeministri Rama, i cili nga New Jorku ku ndodhet për të marrë pjesë në Asamblenë e OKB, përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se reforma zgjedhore do te kryhet brenda paketës se majit ndërsa thekson se vota e emigranteve do të jetë në krye të listës së ndryshimeve të ligjit elektoral. Rama i përgjigjet dhe kushteve te vendosura nga Lulzim Basha duke thënë se idetë e një pale s’mund të jenë kusht për palën tjetër.

“Reforma zgjedhore brenda paketës së 18 majit dhe nis nga Vota e Shqiptarëve jashtë kufijve. Plus: Idetë e një pale s’janë kusht për tjetrën!”

Te njëjtin qëndrim artikuloi gjatë ditës dhe ish-bashkëkryetari socialist i komisionit të shkuar, aktualisht kreu i grupit kuvendor Taulant Balla, që lajmëroi se komisioni bipartizan për reformën zgjedhore mund të nisë nga puna qysh prej javës së ardhshme.

Ai shpreh gatishmërinë për të diskutuar çdo propozim të ardhur nga opozita, përfshi dhe atë për ndryshimin e sistemit, por e cilëson si të papranueshëm vendosjen e kushteve për këtë reformë.

“Të gjitha këto çështje që ka adresuar zoti Basha të jenë pjesë e shqyrtimit në një reformë të rëndësishme sikurs është Reforma Zgjedhore, nuk mund të ulesh me kushte”.

Në Parlament është vendosur një traditë që drejtimi i komisionit të posaçëm i reformës zgjedhore është bipartizan, traditë që Balla thotë se do të ndiqet edhe për mandatin e komisionit te ri që do të ngrihet. Madje duke ndarë dhe se kujt i takon drejtimi në kushtet kur ka 2 parti opozitare.

“Të gjitha këto çështje që ka adresuar zoti Basha të jenë pjesë e shqyrtimit në një reformë të rëndësishme sikurs është Reforma Zgjedhore, nuk mund të ulesh me kushte”.

Balla i kujtoi edhe njëherë Lulzim Bashës ftesën e kryeministrit për një tryezë kombëtare për të adresuar çështjet me interes kombëtar, ftesë që ai thotë mbetet ende në pritje të një përgjigje nga ana e kryedemokratit./Tv Klan