25 qershori për Lulzim Bashën do të jetë kurorëzim i marshimit të nisur nga çadra e protestës 110 ditë më parë për përmbysjen e Republikës së vjetër. Nga i njëjti shesh ku opozita kërkoi largimin e kryeministrit, kryetari i Partisë Demokratike mbylli fushatën elektorale duke thënë se fitoren e opozitës  presin jo vetëm shqiptarët, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Basha akuzoi kryeministrin Rama se 4 vite me pare premtoi pune, rend, siguri e shëndetësi falas, por në 4 vjet sipas tij e mbushi Shqipërinë me drogë, shëndetësinë e çoi në kolaps dhe se harxhoi miliarda euro për qejfet e tij.

“Bashkimi i madh i shqiptareve do t’i japë fund Republika e drogës e krimit, njeriut që vuri timonin e tij mbi interesin e çdo shqiptari. Ky është kryeministër i 4 viteve që shkuan. Kryeministër  i Republikës së vjetër . Edi Rama ka 4 javë që flet si kryetar opozite e jo si kryeministër sepse dëgjoi çadrën për 3 muaj e filloi të flasë si çadra, por ai nuk është çadra, nuk është Republika e re.

Basha u bëri thirrje demokratëve të mbushin qendrat e votimit dhe të mos manipulohen nga thirrjet patriotike të kryeministrit, por të votojnë për një ekonomi të sigurt dhe një plan që do të rrisë mirëqënien e tyre. 

“Ne të gjithë jemi krenare që jemi shqiptarë e krenohemi me Ismail Qemalin e Skënderbeun, por të dielën votohet për ekonominë tuaj për dinjitetin e prindërve dhe pensionisteve”.

Kreu i Partisë Demokratike tha se të dielën shqiptarët do të jenë para 2 zgjedhjesh, të zgjedhin një kryeministër  që nuk mendoi për hallet e qytetarëve dhe paratë i bëri fasada e palma, apo të ndëshkojnë me votë Republikën e vjetër për të nisur një fillim të ri.

Mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike në kryeqytet e përshëndeti edhe zv/presidenti i Partive Popullore që shprehu besimin se Lulzim Basha do të udhëheq Partinë Demokratike drejt një fitore për Shqipërie Europiane.

Tv Klan