Partia Demokratike do të kërkojë bashkëpunimin e të gjitha forcave opozitare për reformën zgjedhore, të cilën e konsideron si urgjencë absolute.  Pas mbledhjes së grupit parlamentar Lulzim Basha lajmëroi se brenda javës do të nisë konsultimet me aleatët e saj për këtë çështje, duke i lënë të hapur derën e bashkëpunimit edhe LSI-së, ndonëse nuk iu referua në veçanti.

“Do të eksplorojmë qëndrimet e përbashkëta me çdo forcë tjetër politike që është në opozitë me qeverinë e ardhur në aleancë me krimin dhe që sot i bën temena krimit dhe godet qytetarët.”

Deklaratës së kryeministrit se reforma zgjedhore duhet të nisë nga vota e emigrantëve  Basha iu përgjigj duke thënë se opozita ka një tjetër prioritet që përmbush edhe kërkesën e mazhorancës.

“Votimi elektronik është përparësi absolute. Vetëm përmes votimit elektronik ne do të mundësojmë dhe objektivin tonë të shpallur prej vitesh, votimin e emigrantëve shqiptarë. Të mendosh që Edi Rama do reformë zgjedhore, se e do votimin elektronik, kjo është një gënjeshtër e pastër. Sepse është fal shit-blerjes së votës dhe manipulimit që Edi Rama është sot kryeministër.”

I pyetur në lidhje me idenë e hedhur nga ish-nënkryetari Astrit Patozi për legalizimin e fraksioneve, Basha tha se PD është e hapur për këdo që kërkon të kontribuojë për këtë forcë politike.

Mësohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, ish-kryeministri Berisha është ndalur në nismën për ndalimin e simboleve të diktaturës dhe gjetjen e një mekanizmi për zbatimin e ligjit ndaj të gjithë atyre që kanë kryer krime në sistemin totalitar./Tv Klan