bashaKryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion” se opozita disponon fakte dhe indicie serioze për perdorimin e infrastruktures se forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike. Basha tha se opozita do ta ndjekë në mënyrë institucionale shqetësimin e ngritur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Lidhur me reformën territoriale Basha u shpreh se opozita nuk do të bëhet fasadë e konsensusit farsë që kërkon kryeministri Rama dhe se nuk do të pranojë njëanshmërinë në reformën e decentralizimit dhe atë të ndarjes administrative.

Sipas kreut të opozitës duhet një marrëveshje mes palëve në parlament që do të garantojë klimën e bashkëpunimit dhe dialogut, në të kundërt nëse mazhoranca e voton e vetme reformën territoriale opozita do t’i drejtohet shesheve bashkë me qytetarët. Kreu i demokratëve akuzoi qeverinë se nuk është treguar transparente lidhur me kushtet e vendosura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për rritjen e taksave dhe çmimit të energjisë elektrike, nëse qeveria nuk do të përmbushë pritshmëritë e FMN-së. Basha deklaroi se Partia Demokratike është kundër rritjes së moshës së pensionit, ndërsa ngriti shqetësimin se mazhoranca ka emëruar në krye të institucioneve njerëz të lidhur me krimin.

Tv Klan