“S’e lëshojmë misionin e studentëve të viteve 90”

Mesazhin për kontributorët lëvizjes së Dhjetorit, Lulzim Basha e dha nga “Ar Turbina”, ku mblodhi disa nga protagonistët e viteve dhe themelues të Partisë Demokratike, duke shprehur keqardhje se Shqipëria s’ka mundur ende ta shkulë mentalitetin komunist.

“31 vite më vonë. Nuk ka më kohë për mua, për brezin tim sepse do të ishte mëkat i pashlyer ndaj 17-vjeçarëve dhe 20-vjeçarëve të sotëm të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona. Shkulëm komunizmin, por jo mentalitetin komunist. Të mënyrës së vepruarit, menduarit, linçimit të mendimit ndryshe, të vënies dorë në zgjedhje. Të atakimit të opozitarit si armik.”

Përmendi disa nga studentët e asaj kohe dhe themeluesit e Partisë, por jo liderin historik Sali Berishën, rolin e të cilit në atë lëvizje, që iu kundërvu regjimit më të egër komunist në lindje të Europës, e sollën në vëmendje të tjerë dhjetoristë.

Por Basha tha se ai do të çojë përpara misionin e dhjetoristëve të viteve 90, teksa bëri edhe një “Mea Culpa” në emër të demokratëve.

“E kërkoj sot faljen si kryetar i PD në emër të PD dhe demokratëve shqiptarë për të gjitha ato përgjegjësi tonat, gabimet tonat, pse jo dhe fajet tona që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejnë Shqipërinë në shumë aspekte në dimensionin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë. Zotohem para jush dhe çdo shqiptari në këtë ditë të shenjtë se PD është në këmbë, PD është e fortë, PD ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë, e fortë e bashkuar sepse ne kemi një mision, lirinë, demokracinë, Shqipërinë si gjithë Europa. E kemi marrë nga Dhjetoristat dhe nuk e dorëzojmë deri sa ta bëjmë realitet”. 

Basha hodhi akuza edhe në adresë të qeverisë, që sipas tij ka vrarë zgjedhjet, votën e lirë dhe demokracinë në vend.

Tv Klan