Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka rikthyer në skenën politike debatin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe shkuarjen drejt listave të hapura. Një kërkesë kjo e bërë më herët nga aleati i socialistëve, Ilir Meta.

Nga dega 7 në kryeqytet ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, Basha tha se duhet zgjedhur një sistem që fuqizon rrolin e votuesit në zgjedhje me qëllim prerjen e tentakulave me krimin.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha:

Sot kemi një sistem politik për të cilin jemi bashkëfajtorë. E nisëm me idenë që rajonal-proporcionali do të eliminonte dallkaukët, pse jo edhe kriminelët por falë Edi Ramës ky u kthye në djepin e krimit në politikë. Duke përdorur atributet që ka kryetari i partisë, listat e Partisë Socialiste u bënë si listat e galerave të Italisë, Belgjikës, ku shkoi i mori kriminelët dhe i solli. Ne do të shqyrtojmë të gjitha mënyrat dhe format për ti dhënë fund këtij sistemi, për të mbushur hendekun midis vendimmarrësve dhe zgjedhësit, për të fuqizuar zgjedhësit. Ndonëse fokusi ynë sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, procesi dhe pastaj modeli. Pa i prerë tentakulat e krimit nuk ka dhe nuk mund të ketë proces të ndershëm zgjedhor.

Basha tha se pa larguar kryeministrin Rama nuk mund të ketë proces të ndershëm zgjedhor.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha:

Nuk ka rrugë tjetër përveçse të insistojmë në atë që është konkluzion i disa proceseve zgjedhore dhe i disa proceseve të tjera në raport me luftën kundër krimit dhe drogës, dhe të kërkojmë largimin me çdo kusht të Edi Ramës. Dhe të garantojmë përmes një qeverisje pa Edi Ramën kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në qoftë se procesi garantohet dhe ne duhet ta garantojmë patjetër procesin, atëherë ne duhet të jemi gati të prezantojmë skemat elektorale bashkëkohore që garantojnë që qytetari fuqizohet në vendimmarrje.

Për Lulzim Bashën, droga është e vetmja ofertë politike që kryeministri Rama ka për të mbajtur pushtetin, pasi nuk mbajti asnjë premtim dhe varfëroi shqiptarët./ TV KLAN