Tiranë, 13 Maj 2017 – Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka folur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mes qindra protestuesve. Basha tha se kurrë më parë nuk ka mbledhur Shqipëria kaq shumë persona si sot, duke e konsideruar këtë jo si protestë, por si Referendum i shqiptarëve për Republikën e re.

“Kjo është protestë, ky është Referendumi i shqiptarëve për Republikën e re. 

Ju shoh dhe ju dëgjoj dhe ju atje në fund para Heroit Kombëtar Skënderbeut dhe ju përshëndes. Siç ju kam dëgjuar 85 ditë dhe 85 netë me radhë që nga fillimi i lëvizjes tonë të madhe. Sot jeni 3 herë më shumë mbi 600 mijë shqiptarë në këtë shesh dhe miliona të tjera bashkë me ne në këtë Referendum historik. Më 18 shkurt tre muaj më parë u bashkuam për t’i thënë ndal krimit dhe drogës dhe për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për mirëqeni, siguri dhe të ardhmes evropiane. Na janë bashkuar miq nga e gjithë bota në kauzën tonë për zgjedhje të lira.

Basha tha se ajo që nisi për një objektiv të thjeshtë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sot ka ndryshuar, pasi sipas tij, gjithçka duhet ndryshuar.

“Sot kemi shpresën për të përmbysur Republikën e vjetër dhe të ngremë të renë, të vetmen Republikë të re të qytetarëve shqiptarë. Ja tek jemi sot, ky nuk është vetëm marshimi kundër të keqes, por shpresës dhe besimit tek familjarët tuaj. Këtu keni ardhur sepse besoni tek Republika e re. Këtu nuk keni ardhur sepse besoni vetëm tek një njeri apo parti, por kjo është ripërtëritja tek familja dhe tek njeri – tjetri.

E nisëm për një objektiv për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si themeli i demokracisë, por sot kërkojmë shumë më shumë. Gjithçka duhet të ndryshojë falë bashkimit tuaj dhe ndihmë e Zotit.

Ne nuk do e njohim republikën e krimit dhe drogës. E si mund të pranojnë më shqiptarët një shtet ku 18 – vjeçari shtyhet drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut për një cigare hashash dhe trafikantët e heroinës bëhen deputetë, ministra, kryetarë bashkish mbushin valixhet dhe llogaritë bankare. Mijëra familje enden pa punë dhe pa një rrogë dhe oligarkët ja shtrojnë me dreka dhe darka, e cila kushton sa ndihma ekonomike e një qyteti të tërë”.

Sipas Bashës, Republika e vjetër ka vetëm interesa kriminale dhe sipas tij, pasi ka vjedhur dhe grabitur çdo aset dhe ka abuzuar me qindra miliona eurot të tenderave, tani behët gati për vjedhjen e zgjedhjeve.

“E si mund të pranojmë Republikën e vjetër ku i rrënoi fermerët, një treg i rrënuar nga monopolet eksportuese, e si mund të pranojmë këtë Republikë ku shtresa e mesme, inxhinierët, financierët ekonomistë, juristët të cilët me kontrollet tatimore ju bëhet presion të mbyllin gojë. Kjo Republikë e vjetër, kjo kupolë politike ka një dhe vetëm një axhendë dhe interes atë të pasurimit të tyre dhe nuk ka asnjë nga interesat tuaja, as të të djathtëve dhe as të të majtëve, por vetëm interesat kriminale. Pasi ka vjedhur dhe grabitur çdo aset dhe ka abuzuar me qindra miliona eurot të tenderave, tani behën gati për vjedhjen më të madhe në histori, atë të zgjedhjeve. Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje me krimin dhe drogën, do ketë vetëm zgjedhe të lira dhe të ndershme, që lufton drogën dhe ku kthen shqiptarëve garantimin e votës të lirë. Nuk ka forcë më të madhe se forca e bashkimit tuaj, se forca e kauzës sonte të drejtë ndaj sot jemi 15 herë më shumë se dje dhe nesër do të jemi dhe më shumë. PD që ju e lindët për kauzën e madhe të pluralizmit bëhet çdo ditë më e fortë duke luftuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Askush nuk bie nga lufta për kauzën e drejtë e bën bashkimin tonë të pathyeshëm”.

Kreu i opozitës kishte disa premtime për mbështetësit: 

“Do mundësoj që çdo fëmijë shqiptar të ketë drekën falas dhe fëmijët do dalin nga shkolla pasi prindërit të kenë dalë nga rruga. Ne do heqim të gjithë fëmijët nga rruga.

Plot 100 mijë euro në vit do të jenë subvencione për fermerët dhe 50 mijë euro të tjera për kanale kulluese. 

Ju që jeni larg vendit tuaj dhe sot jeni shumë më shumë, dihen se në Republikën e re, akti i parë do të jeta e drejta juaj për të votuar, përmes sistemit të votës elektronike si të afërmit tuaj.

Nëse kuçedra e Republikës largohet nga burimi i resurseve të shqiptarëve, të gjitha këto janë të mundshme, vetëm nëse e presim lidhjen me krimin dhe me drogën. Ne duhet të kemi patjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme ku çdo qytetar të shprehë mendimin dhe votën e tij.

Nuk mund të ketë zgjedhje moniste në Shqipëri, ne nuk do lejojmë dhe pranojmë rikthimin e monizmit dhe zgjedhje pa opozitën ta harrojë republika e vjetër. Por ne do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse forca jonë është ajo e bashkimit dhe qëndresë”.

Kryedemokrati foli edhe për kritikat në drejtim të tij dhe Partisë Demokratike, ndërsa shpjegoi edhe arsyet përse nuk është stepur.

“Nuk kanë reshtur kritikat ndaj meje dhe PD po ju e keni parë që unë nuk jam stepur dhe nuk jam ndalur nga rruga ku ju kam premtuar se do ju udhëheq deri në fund dhe nuk jam joshur. E para sepse këtë betejë nuk e bëj për vetën, karrigen, pushtetin e partisë sime, por për të gjithë ju, shqiptarët e majtë dhe të djathtë.

Arsyeja e dytë, sepse këto sulme, kritika, baltosje, shpifje dhe qëndrim të padrejta nuk më bëjnë asnjë përshtypjes, pasi forma ime është tek qendra juaj, teksa Zoti na sheh. A ka forcë më të madhe se ky bashkim? Forca jona ka qenë bashkimi ynë, qëndresa jonë.

Ju ftova të vini me gëzim dhe paqe në zemrat tuaja dhe më duket se kështu keni ardhur, mbi supet tuaja, mbi supet e mija dhe çdo shqiptari të ndershëm peshon përgjegjësia”.

Në fund Basha premtoi edhe marshimin e radhës, që e cilësoi si “të tretin e të vërtetin”.

“Jemi gati të hedhim hapin drejt të ardhmes që na pret. Ju jeni gati të marrim së bashku vendimin e madh. Dhe unë jam gati ta mbaj premtim qe ju kam premtuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetari evropiane. Le ta shpallim sot një zëri Republikën e re. Historia e Republikës së re është vendosur sot me praninë tuaj në këtë shesh. E vjetra po mundet, por që beteja jonë të përmbyllet me fitoren totale është akoma në dorën tuaj. Kam një pyetje për ju?

Nuk ju kërkoj asnjë sakrificë tjetër, por vetëm lumturinë dhe paqen ta merrni me vete pasi të ikni. A jeni gati të qëndrojmë të bashkuar deri sa Republika e re të jetë realiteti i re institucionale?

A jeni gati ta vazhdojmë këtë qëndresë?

Vetëm Zoti do ju bekojë! Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që Shqipëria do te këtë, kështu siç u mblodhëm sot, të jeni gati për të tretën të vërtetën, në marshimin final. Zotohemi se kjo që themeluam sot këtu, pasuria jonë e përbashkët, shpresa e çdo shqiptari është Republika e re. Kthehuni në shtëpitë tuaja në fshatra dhe qytete nga keni ardhur dhe bëhuni gati për marshimin final”.

/tvklan.al