Ndonëse maxhoranca ka ndezur motorët e fushatës, Lulzim Basha e paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se në 18 Qershor nuk do të ketë votime pa opozitën.

Basha hodhi poshtë akuzat e kreut të qeverisë se opozita po kërkon të destabilizojë vendin, duke e bërë përgjegjës për inkriminimin e politikës dhe kanabizimin e vendit.

Kreu i opozitës paralajmëroi luftë të ashpër për shitësit e drogës nëpër shkolla.

13 Maji për opozitën është fillimi i Republikës së re, por për të mbërritur deri tek protesta e së shtunës, Lulzim Basha sërish ia la derën e dialogut hapur Kryeministrit.

Për Lulzim Bashën, Republika e vjetër ka rënë dhe për të treguar simbolikisht fundin e saj, protestuesit e opozitës kishin organizuar përpara Kryeministrisë një ceremoni mortore.

Tv Klan

***

Fjala e plotë e Lulzim Bashës:

“Edi Rama ka ditë që flet për destabilitetin e Shqipërisë por ai e destabilizoi me themele Shqipërinë. Krimi i ngritur në pushtet janë destabiliteti ynë, me drejtorë kriminelë, doganierë kriminelë, kryetarë kriminelë. Edi Rama është përfituesi i të gjithë këtyre gjërave. Kush i solli kriminelët në krye të Bashkisë? Edi Rama. Kush i solli kriminelët në krye të policisë? Edi Rama.

Prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça, 3 muaj pasi i mori zgjedhjet. Në 2015 vonoi ligjin për dekriminalizimin që me Rroshin. Më këtë krenohet Rama, me Tërmet Peçin, me Klement Donin. Gjyshi, babai i kriminalitetit. Mbushi Shqipërinë me drogë. Nga veriu në jug e ka mbushur Shqipërinë me drogë. Ne e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s në 2009. Ky vend sot nuk kontrollon dot kufijtë sepse janë nën drejtimin e lëvizjeve të drogës. Këta janë faktorët e destabilizimit. Të gjitha të zezat Shqipërisë ia ka bërë Rama. Me politikat e tij anti-ekonomike, anti-mirëqenie mbylli mijëra vende pune. Rriti çmimin e energjisë, çmimin e naftës. Asnjë kilometër rrugë edhe ato rrugë që gjeti të papërfunduara i la ashtu. Nuk bëri asnjë spital për të qenë, asnjë shkollë për të qenë. Pjesën më të madhe e ndau me oligarkët. Investitorët po mbyllin bizneset e tyre dhe po ikin.

Shqiptarët në kohën e Ramës po gërmojnë xhepat e tyre për të ushqyer fëmijët e tyre. Çdo gjë me Ramën u bë më e shtrenjtë. Kjo luftë e jona është bashkimi i Shqiptarëve të pathyeshëm. Në këtë gjendje të mjerë e ka futur Shqipërinë ai. E di që nuk ka asnjë fabul për ta shpëtuar këtë vend. Ndërtoi shtetin e drogës të eksodit të ikjes.

Kjo është arritja e Ramës, shkatërrim, varfëri, mjerim. Ai e di se ç’e gjen me votën e lirë. Plani i tij është i thjeshtë, të mos ketë as zgjedhje as reforma. Sovrani të cilin e ke përjashtuar në llogari por para të cilit do të japësh llogari shumë shpejt është populli Shqiptar. Republika e re nuk është vetëm e demokratëve nuk është e Lul Bashës, është e një populli të ri. Ju luftuat dhe sollët pluralizmin, sollët lirinë. Shqiptarëve do t’u kthehen koncesionet. Pensionistët do të kenë pensionin më të madh me mua, do ta kenë pensionin 250 mijë lekë, pensionistët do të arrijnë atë që u takon.

Republikën e re nuk do e marrë malli për taksat që u marrin frymën çdo ditë. Mbi 40 mijë familje që janë hequr nga ndihma ekonomike do të marrin çfarë u takon. Mbi 17 mijë të tjerë Rama me kriminelët e tjerë ua merr lekët shqiptarëve me faturat e dritat. Faturat e ujit dhe dritat do të paguhen nga shteti për familjet në nevojë. Çdo fëmijë shqiptar në republikën e re do të ketë shkollën 8-vjeçare dhe të mesme. Nuk do të ketë asnjë godinë më të mirë dhe më të pajisur se sa shkolla e atij fshati apo qyteti. Me kushte të garantuara nga ora 8:00 deri në 16:00 me drekë të paguar nga shteti. Me mësuese me rroga të dyfishuara. Droga do të marrë fund. Republika e re do të jetë e ashpër me ata që helmojnë fëmijët me drogë. E zeza do ju përpijë, do ju shfarosim, policia do marrë rekomandime për ata që shtrijnë drogën ndaj fëmijëve si të shtrish pistoletën, do t’ju asgjësojmë. Gjithçka për fëmijët e shqiptarëve. Fermerët shqiptarë nuk do të kenë arsye të nisen drejt emigracionit, të skllallvërohen drejt drogës. Ne jemi me plan korrekt për ata. 150 milion euro do të përdoren për subvencione. Ne do t’i hapim rrugën çdo fermeri të ndershëm. Ushqime të shëndetshme për çdo qytetar. Do të kemi çmime konkurruese të favorshme. Studentët shqiptarë tashmë e dinë që do të shfuqizojmë për arsimin e lartë, ligjin e lartë për hajdutët e Republikës së vjetër.”/

tvklan.al