Menjëherë pasi prokuroria kërkoi autorizimin e kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri thirrje parlamentit të mblidhet me urgjencë për t’i hapur rrugën drejtësisë.

“I bëj thirrje kuvendit të veprojë menjëherë, të mbledhë komisionin e mandateve dhe seancen plenare për të vepruar pa vonesë për t’i hequr imunitetin Tahirit, çdo orë e minutë do shërbejë për shkatërrimin e provave”.

Basha tha se arrestimi i Tahirit është vetëm hapi i parë i rrëzimit të qeverisë.

“Qeveria e Ramës ka mbaruar de fakto, çdo ditë e qëndrimit të tij kryeministër është agoni. Vetë Rama është kufomë politike që flet si njeri i çekuilibruar. PS është në buzë të greminës nëse nuk shkëputet nga Rama dhe grupi kriminal”.

Më herët Basha adresoi një tjetër akuzë për kyeministirin Rama. Duke iu referuar një takimi mes kreut të qeverisë e  ish-ministrit Tahiri, Basha foli për një marrëveshje të dakordësuar mes tyre.

“Kemi të dhëna se Edi Rama dhe Saimir Tahiri, aktualisht po përpunojnë një marrëdhënie dhe një marrëveshje me njëri-tjetrin. Saimir Tahiri disponon fakte, të dhëna, përgjime, dokumente dhe filmime të përfshirjes direkte të Edi Ramës në marrëdhënien me bandat mafioze dhe klanet mafioze të Shqipërisë. Ndaj, Edi Rama e ka jetike marrëveshjen me Saimir Tahirin, i cili, ndonëse i ekspozuar në mënyrë të pashpresë para opinionit publik dhe ligjit, do përpiqet t’ia hedhë me një kosto sado të ulët, dhe të dy të shpëtojnë paq e të vazhdojnë të manaxhojnë milionat e eurove dhe pushtetin politik”.

Shkarkimi i 12 drejtuesve të policisë dhe shefat e sektorëve, për kreun e demokratëve janë thjesht heqje e vëmendjes nga operacioni i Vlorës ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis.

“Dua të dënoj përpjekjet e Haki Çakos dhe kupolës së korruptuar të Policisë së Shtetit, për të tërhequr vemendjen nga ky operacion i suksesshëm, që pati sukses pikërisht për shkak të izolimit të segmenteve të korruptuara të policisë deri në çastin e fundit, deri atëherë kur ata nuk mund të paralajmëronin dhe të pengonin këtë aksion të suksesshëm”.

E vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza, u shpreh Basha, është largimi i kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie anti-mafia. Tv Klan