BashaaaaaPas ngritjes së shoqatës për mbrojtjen ligjore të qytetarëve që janë në proces legalizimi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u njoh me shqetësimin e banorëve të zonave informale për rritje të faturës së legalizimeve, ndryshe nga sa u kishte premtuar qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi qytetarëve të zonave informale të mos bien në kurthin e qeverisë për legalizime falas. Sipas kreut të opozitës, propozimet e qeverisë jo vetëm që nuk sjellin legalizime falas, por shtojnë kostot e këtij procesi. Kryetari i Partisë Demokratike foli për dy modele, atë të qeverisë së mëparshme dhe modelin e qeverisë Rama që rrit me 13-fish faturën e legalizimeve.

Basha tha se ligji i ri i legalizimeve përjashton nga procesi 90 mijë familje, të cilave u ishte premtuar se ndërtimet e tyre nuk do të prisheshin, ndërsa akuzoi qeveritarët në pushtet për ndërtime abuzive në bregdet.

Teksa iu përgjigj interesit të qytetarëve për procesin e legalizimeve, kreu i opozitës tha se Partia Demokratike do t’i propozojë qeverisë amendemante që saktësojnë kompetencat e qeverisë dhe Aluizn-it në këtë proces dhe t’i qëndrojë premtimit për legalizime falas.

Tv Klan