Lulzim Basha akuzoi Ministrinë e Brendshme se fshihet pas dekonspirimit të aksionit për arrestimin e tre ish -zyrtarëve të lartë të policisë në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur për dosjen “Habilaj”. Sipas kreut të demokratëve implikimi në trafikun e drogës i tre ish-krerëve të policisë është dëshmi e funksionimit të saj si organizatë kriminale.

“Liria e Saimir Tahirit, dekonspirimi kriminal nga vetë Ministria e Brendshme i aksionit të djeshëm për arrestimin e kokave të policisë janë aktet dhe provat që konfirmojnë këtë fakt.”

Kriminalizimi i policisë dhe aktiviteti i trafikimit të drogës tha Basha është bërë me bekimin e kryeministrit, të cilin e akuzoi se e ka thyer Shqipërinë në zonë të lirë për krimin.

“Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar. Krimi i organizuar është sot një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, si dhe rrezikon të sjellë destabilizimin e thellë politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit.”

I pyetur në lidhje me emërimin  e kryeprokurorit të ri me shumicë të thjeshtë nga parlamenti, Basha tha se opozita nuk do ta lejojë një vendimmarrje të tillë nga ana e maxhorancës.

“Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta, Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërmori një sulm të tillë ndaj prokurorëve vetëm sepse kërkuan arrestimin e Saimir Tahirit, nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm. As deputetët e PS që e mbrojtën duke mos i hequr imunitetin nuk mund ta emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund ta emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një Prokuror i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin Tahiri, në rastin e Dakos dhe fushë e lirë për krimin. Ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të Reformës në Drejtësi, për ta kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimiri ka të drejtë të votojë. Pra i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet edhe me votën e Saimir Tahirit, dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë Saimir Tahirin”

Përmes kapjes së prokurorisë, sipas Bashës kryeministri po tenton të mbyllë hetimet për çështjen Tahiri dhe atë të kryebashkiakut të Durrësit. 

Tv Klan