Kreu i demokratëve Lulzim Basha  i ktheu përgjigje kritikëve brenda Partisë Demokratike për zgjedhjen e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit. Nga Lezha, Basha tha se ishte një vendim i vështirë, por i duhuri për fitoren e zgjedhjeve në 2017.

“Duhet ndryshim. Ndryshimi i Shqipërisë vjen vetëm duke ndryshuar veten tonë. Ju pyeta juve dhe ju më thatë po. Ndaj edhe unë e ndryshova ekipin tonë. Ky ishte vendim i vështirë, por i drejtë dhe i marrë në kohën e duhur. Fitorja e vitit 2017 kërkon ekipin e vitit 2017. Kjo është republika e re. Është e guximshme. Së pari duhen thyer paragjykimet brenda vetes, brenda familjes. Ju e dini për çfarë e kam fjalën”

Më herët nga Peshkopia ku hapi fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, Lulzim Basha ripërsëriti ftesën në adresë të kryeministrit Rama për një debat televiziv.

 “Dje ia thashë nga Fieri sot ia përsëris nga Dibra ftesën për debat të drejtpërdrejtë televiziv, le të na dëgjojnë dibranët e shqiptarët. Kush është bilanci yt dhe i imi, kush është programi yt, dhe ai i republikës së re. Mos ia moho shqiptarëve debatin, përgjigju dhe eja në debat”

Kreu i demokratëve u ndal edhe në Bulqizë dhe Mat. Basha tha se mazhoranca e sotme rrënoi ekonominë e familjeve shqiptare. “

Kryefjala e qeverisjes demokratike do të jetë ekonomia

”-tha Basha në Mat.

Tv Klan

***

Basha në Dibër fton sërish Ramën për një tjetër debat

Kryetari i Partisë Demokratike paraditen e sotme ndodhet në Dibër ku ka hapur dhe fushatën e tij elektorale. Mësohet se pasditen e po kësaj dite në Dibër do të jetë edhe Kryeministri Edi Rama ku Basha u bën thirrje qytetarëve që të shkojnë në mitingun e Ramës dhe ta lenë të tregojë barsaleta. 

“Mos e lini ta kthejë në estradë këtë fushatë”, –

tha Basha

, – “por pyeteni dhe të mbajë përgjegjësinë për vendet e punës që nuk iu ka dhënë”.

Në fjalën e tij me banorët e Dibrës, Basha i bën ftesë Ramës për një tjetër debat. Ku shton se beteja e 25 Qershorit është beteja për të marrë në dorë Dibrën.

“Dibra që unë njoh, që së bashku kemi parë e kemi folur e kemi shkelur e në mënyrë intensive, Gushtin dhe Shtatorin e kaluar, nuk është Dibra krenare, me imazhin e së cilës unë jam rritur, ku puna e ndershme e dibranit nuk është thjesht ajo e mirëqenies së dibranit, por standarti i shqiptarisë; nuk është Dibra e krenarisë, por e turpit dhe dhimbjes së prindit që nuk e sheh dot fëmijën në sy. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa ajo që ju thashë. Kam qenë këtu 1 muaj me radhë në çdo shtëpi. Bujarinë nuk jua ka prekur kush, por unë pashë bjerrjen e shpresës tek ju. Pas zgjedhjeve lokale, këtu u duk sikur nuk mbeti më dritë.

18 Shkurti ka shumë t’i falenderojë Dibrës sepse Dibra ishte këmbana e zgjimit për të nisur bashkimin tonë që është sot lëvizja më e madhe popullore me një synim shumë të madh: synimi nuk është thjesht fitorja e zgjedhjeve, por t’ia heqim nga dora politikanëve të korruptuar pemën e frutave që e kanë marrë vetëm për veten e tyre këto 25 vjet.

25 vjet pritshmëritë e dribranëve nga pluralizmi dhe demokracia nuk janë realizuar. Tash e 25 vjet keni dëgjuar premtime për Rrugën e Arbrit e sidomos në këto katër vjet: do të paguanit më pak taksa, do të kishit rrugën dhe investime. Por gjithë këto premtime të pambajtura që dibranët t’i thoshin “lanet” dhe “sikter” – politikës. Unë jo vetëm e kuptoj, por jam bashkë me ju në indinjatën, hidhërimin, pështirosjen për politikanët e republikës së vjetër por më 18 shkurt, ne të gjithë u bashkuam dhe morëm një vendim jo vetëm kundër kësaj lloj politike, por për t’i kthyer Dibrën, dibranëve. Kjo është republika e re, premtimi, zotimi ynë i përbashkët se që këtej e tutje fijet nuk do t’i kenë në duar një ose dy njerëz, por Dibra për dibranët, Shqipëria për shqiptarët. Kjo është thirrja e 25 qershorit.

” – shprehet kryetari i PD Basha. /tvklan.al