Dibër – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, u takuan me banorë të fshatit Brezhdan, ku janë njohur me shqetësimet e fermerëve dhe blegtorëve, jo vetëm për prodhimet e tyre, por edhe për infrastrukturën që do t’i lidhte me qendrat e banuara për tregtimin e tyre.

Basha akuzoi kryeministrin se ka favorizuar deputetin Sadri Abazi me tendra disamilionësh, duke lënë këtë zonë në varfëri.

“12 milionë euro i ka marrë Sadri Abazi me një dorë. 4 herë më shumë se buxheti i Bashkisë së Dibrës. Por me këto para, jo vetëm që mund t’u vinte në ndihmë ju, mund të zëvëndësoheshin lopët që janë prekur, mund të ndërtoheshin këto rrugë, mund të ndërtohej ujësjellësi, mund të merrnit subvencion për bujqësinë. Vetëm me diferencën e çmimit të asaj që ka marrë ai, dhe ofertës më të ulët, muaj për muaj mund të merrnin ndihmë ekonomike mbi 1 mijë familje. Mund të jepeshin pensione për mbi 1500 familje në fshat, për mbi 1 mijë familje në qytet. Mund të bëheshin investime.”

Basha ka kërkuar votën e këtyre banorëve për kandidatin e Partisë Demokratike, për të menaxhuar më mirë fondet dhe për të hartuar projekte në dobi të fermerëve.

Tv Klan