Me ftesë të Partisë Demokratike Amerikane dhe Institutit Kombëtar Demokratik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konventës së Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton pritet të marrë emërimin si kandidatja demokrate për Presidente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga Shqipëria pjesëmarrës janë edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Deputeti Pandeli Majko.

Selia Blu njofton se Basha u takua me drejtues të lartë të Partisë Demokratike Amerikane, senatorë dhe kongresmenë të pranishëm në Konventë dhe në forumet e shumta, ku ai është ftuar si mik nderi.

Sipas Partisë Demokraktike, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Europiane, Antonio López – Istúriz ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Bashës dhe Partisë Demokratike në realizimin e amendamenteve kushtetuese bazuar në standardet më të mira europiane.

Ai është takuar edhe me Eurodeputetin Knut Fleckenstein, të cilit i ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij dhe të Eurodeputetit Kukan në mbështetje të konsensusit.

Tv Klan