Një ditë përpara protestës së 13 Majit, kreu i opozitës, Lulzim Basha tha se të shtunën manifestimit paqësor të opozitës do t’i bashkohen mijëra qytetarë në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme. E nësermja për kreun e demokratëve është rruga nga ku do të nisë Republika e Re.

Basha shprehu besim se protestës do t’i bashkohen studentë, të punësuar e të papunë, binznesi, pensionistë, ish -të përndjekur e ish – pronarë dhe shtresa të tjera të shoqërisë, të cilave ai thotë se janë dëmtuar nga politikat e qeverisë.

Gjatë një takimi në orët e paditës Basha tha se çadra do të qëndrojë në bulevard deri në garantimin e zgjedhjeve të lira.

Por kreu i Partisë Demokratike nuk pranoi të komentonte letrën e Komisionerit Johannes Hahn, i cili thotë se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ka qenë e paramenduar, se zgjedhjet do të vlerësohen nga standardet dhe jo nga subjektet pjesëmarrëse dhe se udhëheqësit shqiptarë që pengojnë shqiptarët të votojnë, do të mbajnë përgjegjësi.

Tv Klan

***

Basha: Nesër ndodh bashkimi i madh

Tiranë, 12 Maj 2017 – Kreu i opozitës, Lulzim Basha paraditen e kësaj të premteje, nga ‘Çadra e Lirisë’ iu drejtua të rinjve duke iu thënë se shpresa nesër merr rrugën e një shprese të re, të investimeve publike.

“Nesër bashkohen në këtë shesh qindra mijëra të rinjtë sepse e dinë që me vendosmërinë e tyre do të luftojnë kundra kanabisit. Ata do t’i hapin rrugën arsimit dinjitoz. Të gjithë do të kenë mundësi të ndjekin studimet kanë apo s’kanë mundësi ekonomike nga familja. Do të marrë fund kauza e re nga maturantët”,

u shpreh Basha.

Ai i bëri thirrje edhe moshës së tretë, duke iu thënë se nesër ata 650 mijë pensionistë të cilët janë trajtuar si qytetarë të lënë pas dore do të jenë në shesh për të mposhtur biletat e shtrenjta të autobusit dhe pensionet qesharake, ilaçet e shtrenjta. Ai u premtoi nga ‘Çadra e Lirisë’ se do t’u rrisë pensionet dhe se do të kenë të gjithë rëndësinë që u takon pensionistëve.

Kreu i opozitës Basha u bëri thirrje të gjithë të përndjekurve, studentëve, artistëve duke u shprehur: 

“Nesër në shesh me ne do të jenë edhe punëdhënësit dhe punëmarrësit në horizontin e mirëqenies dhe korrektësisë. Djersa e shqiptarëve do të jetë për djersën e shqiptarëve”.

“Bashkimi i madh është ky që do të ndodhë nesër, që flitet në çdo familje shqiptare prej kohësh. Në sheshin e shpresës. Asgjë me e rëndësishme nuk do të ndodhë për 24 orë, asnjë investim më të madh nuk ka bërë njeri nga ju se sa pjesëmarrja nesër në sheshin e lirisë së madhe. Në ditën e parë të Republikës së re e cila nuk ka më kthim mbrapa”,

tha Basha më tej. /tvklan.al