Turin e takimeve në bazë në prag të protestës që do të mbahet në janar, kryetari i Partisë Demokratike e nisi nga zona e Kombinatit në Tiranë. E njohur si zona elektorale e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, Basha bëri një paralajmërim për të dhe për kreun e qeverisë.

“Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa veting, nuk ka prokuror politik që shpëton Sajmir Tahirin nga drejtësia. Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar. Sajmir Tahiri, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, sikundër fati i shefit të tij politik është i vulosur”.

Basha thotë se lajtmotivi i kësaj proteste do të jetë mospajtimi me të keqen.

“Beteja për Kushtetutën është betejë për demokracinë, është betejë për drejtësinë, është betejë për ekonominë dhe ajo sapo ka nisur e ne do ta çojmë deri në fund”.

 Lulzim Basha i ftoi shqiptarët të bashkohen me protestat e opozitës duke e konsideruar 2018-ën vitin e fundit të Ramës në Pushtet.

 “Kjo situatë është e paqëndrueshme. Kjo nuk mund të zgjasë më. Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama  dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Përballje totale në të gjitha frontet dhe protestë pa pushim deri në largimin  dhe mundjen përfundimtare të së keqes.”

Basha shprehu bindjen se vetëm largimi i Edi Ramës është zgjidhja që vendi të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe morale.

Tv Klan