Në ditën e 11 të protestës, çadrës së opozitës iu bashkuan pensionistë si dhe banorë të Himarës. Këta të fundit e akuzuan kryeministrin Edi Rama se po u grabit në kundërshti me ligjin pronat në bregdet.

Në mënyrë simbolike përpara kryeministrisë ishte vendosur edhe një instalacion të cilin mbështetës të opozitës e kishin pagëzuar me emrin “Edi baba me 40 hajdutë”. Kreu i demokratëve Lulzim Basha përsëriti kërkesën për qeveri teknike dhe se  tha se nuk ka kthim pas deri në plotësimin e kushtit për zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha, kreu i PD: 

Kauza jonë është zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje pa drogë dhe për këtë është e domosdoshme krijimi i një qeveri pa konflikt interesi me zgjedhjet e lira. Ky kryeministër është në konflikt interesi dhe kjo është arsye për të krijuar një qeveri që nuk ka konflikt me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, një qeveri që nuk është fajtore, e cila nuk tregohet me gisht nga ministrat se ka urdhëruar lirimin e bandave.

Basha e akuzoi qeverinë për premtime të pambajtura, ndërsa i premtoi pensionistëve se në qeverisjen e tij nuk do të ketë pension minimal nën 250 mijë lekë.

Lulzim Basha, kreu i PD: 

Brenda 4 viteve pensionet do të rriten me 40%. Nuk do të ketë pension me të vogël se 250 mijë lekë në muaj. Në fund të mandatit të parë nuk do të ketë shqiptar me pension nën 250 mijë lekë.

Kreu i opozitës i premtoi banorëve të Himarës se “Republika e Re”do t’i japë fund grabitjes së pronave në bregdet. Protestës së himariotëve iu bashkua edhe kreu i PBDNj-së, Vangjel Dule./ TV KLAN